
Toksinat si plumbi, arseniku, kadmiumi dhe mvrkuri ndodhen natyrshëm në tokë, ujë dhe ajër, prandaj është pothuajse e pamundur të shmangen plotësisht. Megjithatë, prindërit mund të ulin ndjeshëm sasinë e metaleve të rënda që marrin foshnjat përmes ushqimit.
Studime të ndryshme kanë zbuluar se shumë ushqime për bebe, madje edhe ato organike, përmbajnë nivele të papranueshme të metaleve të rënda. Këto substanca mund të dëmtojnë trurin në zhvillim dhe të ndikojnë në të nxënë, kujtesë e sjellje.
Edhe pse nuk mund të shmangen plotësisht, ekspozimi ndaj metaleve të rënda mund të ulet duke ndjekur disa rregulla të thjeshta. Prindërit duhet të ofrojnë shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme e natyrale dhe të shmangin produktet e përpunuara. Këshillohet që të mos përdoren shpesh drithërat dhe ushqimet me bazë orizi, sepse orizi thith më shumë arsenik nga toka. Në vend të tyre, preferohen drithëra si tërshëra, elbi, quinoa apo bollguri. Orizi duhet larë mirë dhe gatuar me më shumë ujë për të reduktuar përqendrimin e metaleve.
Foshnjat mund të ushqehen me fruta e perime të freskëta, vezë të ziera, kos, fasule, djathë e peshk me përmbajtje të ulët mërkuri, si salmoni ose trofta. Duhet shmangur peshku si toni i madh, skumbria mbretërore dhe peshku shpatë, që kanë nivele më të larta të mërkurit. Lëngjet e frutave, sidomos ato të mollës dhe rrushit, përmbajnë shpesh arsenik dhe plumb, ndaj nuk rekomandohen për foshnjat. Po ashtu, karotat dhe patatet e ëmbla duhet dhënë me masë dhe gjithmonë të lahen e qërohen mirë.
Përgatitja e ushqimit në shtëpi nuk i heq plotësisht metalet, sepse edhe produktet e freskëta i përmbajnë ato në mënyrë natyrale, por mund të ndihmojë duke shmangur ndotjet që ndodhin gjatë prodhimit apo paketimit industrial. Organizatat pediatrike këshillojnë që fëmijëve t’u ofrohet një dietë sa më e larmishme për të kufizuar ekspozimin afatgjatë ndaj këtyre substancave.
Ushqimet më të sigurta për foshnjat janë frutat, perimet si kungulli, bizelet dhe fasulet jeshile, mishi, vezët dhe kosi. Më pak të sigurta janë produktet me bazë orizi, disa drithëra të përgatitura, lëngjet e frutave dhe gjalpi i farave të lulediellit. Prandaj, është më mirë që këto ushqime të kufizohen ose të alternohen me opsione të tjera.
Metalet e rënda janë pjesë e mjedisit dhe ushqimit tonë, por duke zgjedhur me kujdes, duke përgatitur ushqim të freskët në shtëpi dhe duke shmangur produktet e përpunuara, prindërit mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit dhe shëndetit të fëmijëve të tyre.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare