
"Më lëviz dhëmbi!"
Këto fjalë shënojnë një moment të madh në jetën e fëmijës tuaj. Dhëmbët e qumështit duhet të bien për t’u bërë vend dhëmbëve të përhershëm, një proces që vazhdon deri në daljen e molarëve të fundit (të quajtur ndryshe edhe dhëmbët e pjekurisë), që ndodh zakonisht midis moshës 17 deri në 21 vjeç.
I pari që del, bie i pari
20 dhëmbët e qumështit të një fëmije, të cilët zakonisht dalin deri në moshën 3 vjeç, bien në të njëjtin rend që kanë dalë. Kjo do të thotë se dhëmbët e poshtëm të përparmë janë zakonisht të parët që bien, zakonisht rreth moshës 6 ose 7 vjeç. Më pas vijnë çifti i sipërm qendror.
Një dhëmb qumështi zakonisht nuk fillon të lëkundet derisa dhëmbi i përhershëm poshtë tij fillon ta shtyjë për të zënë vendin e vet. Megjithatë, ndodh që fëmijët ta humbasin një dhëmb më herët, për shkak të aksidenteve ose problemeve dentare. Në këtë rast, dentisti pediatër mund të vendosë një hapësirë mbrojtëse plastike, për të shmangur probleme me pozicionimin e dhëmbëve më vonë.
Disa fëmijë humbin dhëmbin e parë që në moshën 4 vjeç, ndërsa të tjerë deri në 7 vjeç.
Në përgjithësi, sa më herët t’i kenë dalë dhëmbët, aq më herët do t’u bien.
Nëse fëmijës suaj i bien dhëmbët para moshës 4 vjeç, këshillohet të vizitoni një dentist.
Nëse fëmija arrin moshën 7–8 vjeç dhe ende nuk i ka rënë asnjë dhëmb, ndonëse zakonisht nuk është problem, është mirë të konsultoheni me dentistin.
Dalja e dhëmbëve të rinj
Inkurajoni fëmijën të lëkundë dhëmbët që i lëvizin, por mos e lejoni t'i tërheqë me forcë, sepse mund të mbetet një pjesë e rrënjës duke krijojuar rrezik për infeksion.
Në raste të rralla, një dhëmb i lirshëm që nuk bie vetë mund të ketë nevojë të hiqet nga dentisti, por kjo është e pazakontë.
Procesi i rënies së dhëmbëve është zakonisht më pak i dhimbshëm se dalja e tyre fillestare.
Dhëmbët e rinj: më të mëdhenj dhe më pak të bardhë
Dhëmbët e përhershëm mund të duken më të mëdhenj dhe më pak të bardhë dhe kjo është normale.
Ata kanë edhe disa "skaje" të mprehta ose forma të çuditshme në fillim, që zbuten me kohën gjatë përtypjes.
“Dhëmbë peshkaqeni”: ndonjëherë ndodh që dhëmbët e rinj dalin para se të bien të vjetrit, duke formuar dy rreshta dhëmbësh. Kjo është zakonisht një fazë kalimtare dhe nuk ka arsye për shqetësim.
Dhimbje në pjesën e pasme të gojës?
Nëse fëmija juaj 6–7 vjeç ankohet për dhimbje në pjesën e pasme të gojës, ndoshta po i dalin molarët e parë të përhershëm, atje ku nuk ka dhëmbë qumështi për të rënë më parë.
Dhimbja është e zakonshme dhe kalimtare. Mund të përdorni ibuprofen për ta lehtësuar, nëse është e nevojshme.
Rëndësia e larjes së dhëmbëve tani është më e madhe se kurrë
Ju duhet ta mbikëqyrni larjen e dhëmbëve deri rreth moshës 8 vjeç.
Ndërroni furçën çdo 3–4 muaj, ose më shpesh nëse qimet i dëmtohen.
Mos harroni: kontrolli dentar dy herë në vit është shumë i rëndësishëm.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare