
Nëse ke vënë re disa pika të vogla të bardha në qiellzën e gojës së bebit tënd të porsalindur, ka shumë mundësi të jenë ato që quhen "Epstein pearls" dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Çfarë janë?
"Epstein pearls" janë ciste të vogla dhe të padëmshme, që shfaqen zakonisht në qiellzën ose mishrat e gojës së bebit. Duken si pika të bardha ose në ngjyrë të verdhë të çelët, janë të forta dhe të vogla në përmasë (1-3 milimetra).
Ato janë shumë të zakonshme, shfaqen në 65-85% të foshnjave, dhe zakonisht zhduken vetvetiu brenda disa javëve ose muajve të parë të jetës.
A janë të dhimbshme për bebin?
Jo. Ato nuk shkaktojnë dhimbje, parehati apo simptoma të tjera. Bebi nuk i ndjen fare dhe nuk ndikojnë në ushqyerje apo në zhvillimin e dhëmbëve.
Pse shfaqen?
Shkaku nuk është plotësisht i qartë, por besohet se krijohen kur keratina (një proteinë që gjendet në lëkurë, flokë dhe thonj) ngec gjatë formimit të qiellzës së bebeve në barkun e nënës.
A ka nevojë për trajtim?
Jo. Më e mira që mund të bëni është të prisni, ato do zhduken vetë. Nuk duhet të përpiqeni t’i hiqni apo t’i prekni, pasi mund të shkaktoni acarim apo infeksion.
A ka ndonjë rast për t’u shqetësuar?
Vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla, nëse cistet nuk zhduken edhe pas disa muajsh, mjeku mund të rekomandojë ndërhyrje të vogël. Por zakonisht nuk ka nevojë për asgjë tjetër përveç durimit.
Nëse je ndjerë i/e pasigurt kur i ke parë për herë të parë, është shumë normale. Por tani që e di se çfarë janë, mjafton të qëndrosh i/e qetë dhe t’i japësh kohë.
Në çdo rast, nëse ke ndonjë dyshim për shëndetin e bebit, është gjithmonë mirë të flasësh me pediatrin.
Shpërndaje:
Shkruar nga
KidoCare